
December 23, 2024
Kemi kënaqësinë të njoftojmë se TÜV AUSTRIA, Organizata lider e Certifikimit dhe Inspektimit në Shqipëri, ka certifikuar IDENTITEK sh.a për përmbushjen e kërkesave të Sistemit të Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit, sipas standardit ndërkombëtar ISO 27001:2022.
IDENTITEK sh.a., e vetmja organizatë në Shqipëri që ofron shërbime për aplikimin, prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, ka arritur me sukses certifikimin sipas ISO 27001:2022, duke garantuar nivelin më të lartë të menaxhimit të sigurisë së informacionit, një aspekt kritik për ruajtjen e të dhënave të ndjeshme personale.
ISO 27001:2022 është standardi më i njohur i sigurisë së informacionit në mbarë botën. Ai përshkruan praktikat më të mira për sigurimin e informacionit të ndjeshëm, sigurimin e konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë.
Në ceremoninë e certifikimit, ishin të pranishëm CEO i IDENTITEK, Menaxherët e Lartë të Sigurisë së IT-së dhe standardeve të organizatës dhe Drejtori i Përgjithshëm i TÜV AUSTRIA për Shqipërinë dhe Kosovën, Z. Fatjon Sinani.
Z. Sinani në fjalën e tij hapëse u shpreh: “Kemi kënaqësinë të certifikojmë IdentiTek Sh.A. sipas standardit ISO 27001:2022. Kjo arritje pasqyron përkushtimin e organizatës për zbatimin e niveleve më të larta të sigurisë së informacionit, gjë që është veçanërisht kritike në trajtimin e të dhënave të ndjeshme biometrike. Duke iu përmbajtur këtyre standardeve globale, IdentiTek, jo vetëm që përmirëson operacionet e saj, por gjithashtu forcon besimin e klientëve dhe palëve të interesuara. Ne jemi krenarë që jemi partnerë me një organizatë me udhëheqje vizionare dhe mbështetje aktive në promovimin e përsosmërisë në Shqipëri.”
Në fjalimin e saj Znj.Halilaj, deklaroi: “Jam krenare që IdentiTek vijon me përkushtim në misionin për të ofruar shërbime të cilësisë më të lartë për shtetasit shqiptarë. Kjo dëshmohet edhe nga certifikimi që kemi marrë nga TÜV AUSTRIA, sipas standardit ndërkombëtar ISO 27001:2022 për sistemin e menaxhimit të sigurisë së informacionit, për ta vijuar më tej me certifikimin e katër kolegëve tanë si Lead Auditor për ISO 27001.
Këto arritje janë një pasqyrim i angazhimit tonë të palëkundur për mbrojtjen e të dhënave biometrike, garantimin e sigurisë dhe rritjen e besueshmërisë në shërbimet tona. Ky është misioni që kemi vendosur për veten dhe një premtim ndaj qytetarëve.
Ne jemi të vendosur të përmirësojmë vazhdimisht cilësinë e shërbimeve tona, të investojmë në sigurinë e tyre dhe të zhvillojmë më tej aftësitë e stafit tonë për të qenë gjithmonë në pararojë të inovacionit dhe zhgjidhjeve teknologjike.
Faleminderit IDENTITEK për bashkëpunimin e frytshëm!